
Për të gjashtin vit radhazi, Albi Mall organizoi kontrollë falas për Tetorin Rozë
Tetori shënohet në mbarë botën si Muaji i Ndërgjegjësimit për Kancerin e Gjirit, me fokus në rëndësinë e parandalimit, kontrolleve të rregullta dhe zbulimit të hershëm.
Në kuadër të kësaj nisme, Albi Mall organizoi më 10 tetor një aktivitet shëndetësor në bashkëpunim me Spitalin Medical Park dhe AGS Corporation, duke u ofruar qytetarëve mundësinë të përfitojnë nga kontrollet dhe testet shëndetësore falas.
Nën sloganin “Parandalimi Fillon me Ty”, aktiviteti u zhvillua në ambientet e Albi Mall, në katin -1, te Hyrja D, ku qytetarët patën mundësinë të kryenin “Echo falas të gjirit”, si dhe kontrollë të tensionit arterial dhe nivelit të sheqerit në gjak.
Kontrollet u realizuan nga profesionistët shëndetësorë, duke vënë në pah rëndësinë e kujdesit të vazhdueshëm për shëndetin dhe të identifikimit me kohë të faktorëve të mundshëm të rrezikut.
Përmes kësaj nisme, Albi Mall synoi të rriste ndërgjegjësimin për rëndësinë e kujdesit ndaj shëndetit, duke u ofruar qytetarëve mundësi konkrete për t’u kujdesur për mirëqenien e tyre dhe për të kuptuar rëndësinë e kontrolleve të rregullta mjekësore.
Albi Mall, përkushtim i vazhdueshëm ndaj komunitetit
Organizimi i këtij aktiviteti për të gjashtin vit radhazi dëshmon përkushtimin e Albi Mall ndaj iniciativave që promovojnë shëndetin dhe mirëqenien e komunitetit. Përtej përvojës së blerjeve, Albi Mall vazhdon të mbështesë nisma që krijojnë vlerë për qytetarët dhe kontribuojnë në çështje me rëndësi shoqërore.
Përmes bashkëpunimit me institucione dhe partnerë të ndryshëm, Albi Mall synon të krijojë hapësirë për iniciativa që nxisin ndërgjegjësimin, solidaritetin dhe kujdesin ndaj komunitetit.
Albi Mall, Medical Park dhe AGS Corporation falenderojnë të gjithë qytetarët që u bënë pjesë e këtij aktiviteti, duke kontribuar në përcjelljen e mesazhit për rëndësinë e parandalimit dhe kujdesit të vazhdueshëm për shëndetin.